PËRFSHIRJA E MARRËVESHJES SË OHRIT NË PREAMBULËN E KUSHTETUTËS SË MAQEDONISË NUK E NDERON POPULLIN SHQIPTAR*

0
292

Abdulla Mehmeti

Përfshirja e Marrëveshjes së Ohrit në Preambulën e Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë Veriore nuk është ndonjë sukses dhe arritje politike, por pranim i nënshtrimit të dyfishtë të popullit shqiptar në Maqedoni, sepse:

1. Përmes këtij „suksesi“ dëshiron të përfitojë vetëm një parti politike, e cila është dëshmuar për 18 vjet me radhë në skenën politike si parti vasale e pushtetit, dhe me asgjë nuk përfiton populli shqiptar në këto rrethana;

2. Kjo Marrëveshje është arritur „për zgjidhjen e situatës politike e të sigurisë në Maqedoni“, për ndërprerjen e konfliktit të armatosur në vitin 2001, jo edhe për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve të mohuara nga pushteti në Maqedoni;

3. Përmes kësaj Marrëveshje tentohet të ruhet edhe më tej karakteri unitar (njënacional) i shtetit;

4. Me këtë Marrëveshje populli shqiptar në Maqedoni trajtohet si pakicë kombëtare, jo si popull shtetformues, siç ka qenë së paku me Kushtetutën e vitit 1974;

5. Përmes kësaj Marrëveshje gjuha shqipe trajtohet si „gjuhë të cilën e flasin 20% e qytetarëve të vendit“, jo si gjuhë shqipe, zyrtare dhe e barabartë me gjuhën maqedonase;

6. Kjo Marrëveshje nuk është realizuar në afatin e paraparë (2004) dhe në masën e duhur, për 18 vjet me radhë, prandaj, si e tillë as nuk përbën (përveç vlerës së caktuar historike për ndërprerjen e një konfikti të armatosur) ndonjë dokument me vlerë të rëndësishme për të sotmen e popullit shqiptar dhe të ardhmen e tij evropiane;

7. Marrëveshja e Ohrit e ka humbur kuptimin dhe rëndësinë e saj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Maqedonisë me Bullgarinë dhe të Marrëveshjes me Greqinë, për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit.

8. Marrëveshja e Ohrit është absolvuar (shterrur, konsumuar) me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001, ndërsa përmes saj nuk është zgjidhur statusi juridik-kushtetues i popullit shqiptar, as statusi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni;

Për analiza më të hollësishme në lidhje me këtë çështje duhet të deklarohen edhe ekspertët e fushave shkencore përkatëse, vendës dhe ndërkombëtarë, jo ushtarët partiakë, përfitues të politikës ditore!

(2 nëntor 2018)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.