12.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )
Kreu Artikuj Sami Frashëri – iluminist mbrojtës i diturisë dhe i shkencës

Sami Frashëri – iluminist mbrojtës i diturisë dhe i shkencës

0
1500

Nga Jahja LLUKA

Samiu e Naimi në një letër dërguar një mikut të tyre për arritjet në shkrimin e në lëvrimin e gjuhës shqipe: “Armiqtë e kombit tonë, – thoshin ata, – donin të na gënjenin ç’prej kohe se gjoja gjuha shqipe është një gjuhë e prishur dhe trashamane, se nuk mund të shkruhet, se s’ka gramatikë, se me të nuk mësohen shkencat e tjera. Por në fund panë se shqipja u bë, u shkrua, u krijua alfabeti i saj, u hartua gramatika, u shtypën librat e shkencës, u përkthyen poezi të bukura prej çdo gjuhe të huaj. Me një fjalë u kuptua se ç’gjuhë e përsosur dhe e rregullt është shqipja”. “Sendet më të shtrenjtë në botë, – shkruante Samiu, – janë nderi dhe atdheu.Ata që për dobi personale shkelin dashurinë e atdheut, ata shkelin njëkohësisht edhe nderin e tyre”.

Ishte 1 qershori i vitit 1850 kur erdhi në këtë botë Samiu, një fshat i vogël në Shqipëri “Frashëri” është vendlindja e tij. Fëmijëria e Samiut nuk kishte qenë fare e lehtë, fati i tij i trishtë ishte që mbeti herët pa prindërit duke i lënë jetim tetë fëmijë, dy vajza dhe gjashtë djemë. Vëllau i madh Abdyli ishte ai që u desh të përkujdesej për më të vegjlit fëmijë. Janina n’at kohë ishte kryeqytet i vilajetit dhe si e tillë ofronte mundësi më të mira jetese.Kushtet e vështira ekonomike dhe kërkesat e fëmijëve bënë që Abdyli të largohet për në Janinë. Kështu, Samiut iu dha një mundësi e mirë për të studiuar ku regjistrohet në gjimnazin Zosimea, për shkak që tregoi aftësi të jashtëzakonshme në shumë disiplina si matematikë, anatomi, gjeografi, kozomografi dhe histori të natyrës u diplomua para kohe.

Si një mendje gjeniale që ishte Samiu mësoi frëngjisht, italisht, persisht, arabisht, latinisht si dhe greqishten e re dhe të vjetrën. Puna e tij krijuese me gjithë këto njohuri që posedonte rrjedhi për tri dekada pa u ndalë duke nxjerrur më të mirën nga vetja në dobishmëri të kombit dhe kulturës. Në Stamboll botoi romanin e tij të parë, atëherë kur Samiu ishte vetëm 22 vjeç. Krijimtaria e tij njehë më shumë se 60 vepra të botuara në gjuhën shqipe, atë perse dhe turke. Samiut i dedikohet shkrimi i gramatikës shqipe të cilin e titullon “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”, dhe poashtu njihet edhe si hartues i alfabetit shqiptar. Vepra më e madhe e shkruar në gjuhën shqipe nga Sami Frashëri është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”? Me këtë vepër Samiu shtroi pikëpamjet e tij në sferën historike, diplomatike dhe politike për një shekull më pas, ngjarje të cilat do karakerizojnë objektivat e tij në libër.

Por ishte vepra KÂMÛS AL-A’LÂM të cilës Samiu i kushtoi 11 vite, e që kur u botua kjo vepër nisi rrugëtimin në të gjitha biblotekat më të mëdha të asaj kohe. Samiu kishte një qëllim të vetëm ngritjen e çështjes shqiptare në qarqet ndërkombëtare për tu bërë kështu njëri ndër personalitetet më të shquara të kombit shqiptar. Shkroi shumë artikuj në gjuhë të huaja në të cilat përmendi anticitetin e popullit shqiptar sepse fakti që ishte nën zgjedhë të huaj dhe i mjeruar për shekuj e bënin Samiun që ta vuante këtë tragjedi të kombit. Luftoi obskurantizmin mesjetar të monarkisë absolute dhe ishte në kundërshtim me praktikat dhe ligjet e Perandorisë Osmane të cilat sipas tij kishin ngulfatur qyterimin.Samiu ishte desit dhe sipas tij bota nuk mund të ishte ashtu siç e shpjegonin librat fetar sepse Samiu theksonte se gjithë trupat qiellorë u shtrohen një ligji dhe një rregulli. Pikëpamjet e Samiut u vlerësuan lart në kohën kur jetoi, sepse ai këmbëngulte që vetëm nëpërmjet dijes arrihen majat e qytetrimit.

Sipas tij kombi shqiptar edhe pse i vogël kishte dhënë shumë për kulturën botërore, thesarin më të çmuar e sillte përparimi, progresi njerëzor që do ta linte pas errësiren e krijuar prej shekujsh. E kjo ishte faktike sepse edhe pse populli shqiptar kishte dhënë shumë assesi nuk rimëkembej nga zgjedha e huaj. Idetë e Revolucionit Francez kishin nxitur mendimin kritik dhe revolucionar të Samiut,veprat e Volterit, Dideros, Zhan Zhak Rusoit kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë botërore e që Samiu i admironte tej mase. Samiu theksonte vazhdmisht se Perandoria Osmane kishte mbajtur pezull civilizimin ku filloi antikiteti e që sipas tij duhej medomos krijimi i një Shqipërie të re duke lënë anash prapambeturinë që e rrethonte dhe poashtu krijimi i një Turqie të re me frymë evropiane.

Ishte kundër çdo ndasie fetare të cilat nga armiqët e kombit stimuloheshin duke humbur identitetin dhe duke u tjetërsuar në kombësi tjetër për shkak të fesë. Samiu luftoi aq shumë problematikat të cilat vinin direkt nga manipulimi përmes fesë e që ishin çdoherë në dëm të kombit shqiptar.“Shqiptari është shqiptar para se të jetë mysliman apo i krishterë”, shpallte ai, duke ngritur kështu idenë e kombësisë mbi idenë e fesë. Mbylli sytë në Stamboll më 18 qershor 1904, për ta lënë pas veprën e tij shumë të madhe e cila i dha namin për të mbetur njëri ndër personalitetet më të mësha shqiptare dhe jo vetëm.

Dërgoi për publikim, Skënder Mulliqi, gazetar

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.