16.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )
Kreu Artikuj TAKIM TJETËR MBRESËLËNËS, ME AKADAMIKUN ALFRED UÇI…

TAKIM TJETËR MBRESËLËNËS, ME AKADAMIKUN ALFRED UÇI…

0
2643
Prof. Murat Gecaj, 4 tetor 2017

Skicë:

Nga: Murat Gecaj

1.

Kishim kohë pa u parë me prof.Alfred Uçi-Akademik, personalitet i shquar i shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare. Për herën e fundit ne u takuam në ceremoninë festive dhe të bukur të 85-vjetorit të ditëlindjes së tij, organizuar në mjediset e Hotelit “Tirana” të kryeqytetit. Pastaj dihet që erdhën festat e fundvitit, pati ditë me shira e të ftoftë, pa përmendur dhe ndonjë ankesë tonën shëndetësore. Kështu që ne shfrytëzuam bisedat telefonike, për t’u informuar për njëri-tjetrin e familjet tona, për t’u çmallur dhe për të treguar ndonjë punë tonën ose për të folur për botimet e radhës. Në rastin konkret, ishte ai që më kishte dhënë njoftimin e gëzuar të botimit të dy veprave të reja.

Kështu, gjetëm pikërishtr ditën e sotme për t’u takuar dhe për të pirë kafë bashkë, në lokalin “Ufo”, prapa Muzeut Historik Kombëtar. Në vendin e caktuar shkova më pare, me autobusin e linjës dhe, po kështu, ai nuk u vonua të mbërrinte me autobusin e Tiranës së Re, që nga banesa e tij, në afërsi të Librit Universitar. Përmes dritareve të lokalit, vërejta se ai ecte me trupin drejt dhe duke pare me kujdes, nëse ndodhesha në verandën e lokalit, se ishte mesditë e aty binte dielli. Por zgjodhëm më mirë qëndrimin në dy kolltukë brenda, ku zhvilluam një bisedë të kandshme e të paharruar, si gjithnjë më parë.

2.

Kërkoj ndjesë që e “prisha” pak radhën e tregimit tim. Se, së pari, miku im shumë i nderuar më zgjati një qeskë kartoni, ku brenda kishte dy dhurata simbolike, për mua e bashkëshorten, nga e shoqja, Rozeta, me të cilën kam qenë në një kurs të degës gjuhë-letërsi shqipe, në fillimet e Universitetit të Tiranës. Ndërsa vetë më dorëzoi dy dhurata tjera të bukura, me të cillat e pasurova fondin e bibliotekës familjare. Janë librat më të rinj të prof.Alfred Uçit. I pari ka titullin domethënës: “Esse dhe etyde filozofiko-estetike (Tiranë, 2015). Libri përmban 451 faqe, shoqëruar me disa fotografi; hyrjen e ka shkuar shkrimtari i madh Dritëro Agolli, ndërsa redaktor është Eni Myrtollari dhe paraqitja grafike është realizuar nga Ulinda Selenica. Në pjesën e brendshme të librit pata kënaqësinë të lexoja shënimin dashamirës të prof.Alfredit: “Muratit, mikut tim e kolegut, me shumë respekt dhe vlerësim për gjitshçka, që më është dhe bën: Alfredi, Tiranë, 21.II.2016”.

Libri tjetër, që më dhuroi prof. Alfred Uçi e ka titullin: “Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare” (Tiranë, 2015) dhe është botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Përmban 450 faqe, në 6 pjesë, me rerdatore dr. Albana Velianj, recansentë prof.Emil Lafe e prof.Ymer Çiraku dhe me realizimin kompjuterik nga Enkelejda Misha.

Duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesit, përsri po tregoj këtu se çfarë ka thënë prof.Alfredi, në kushtimin e tij për mua: “Muratit, bashkudhëtarit tim në disa troje shqiptare, me vlerësim për palodhshmërinë e tij, dashamirësinë, aftësinë prej një gazetari të talentuar dhe ndjenjat e sinqerta patriotike. Me mirenjohje: Alfredi, Tiranë, 21.II.2016”.

Të dy këta libra janë shoqëruar me titujt e shumë të veprave, që ka botuar ky autor prodhimtar, numriiI të cilëve u afrohet të tridhjetave. Është e kuptueshme se, që të flasësh për prmbajtjen dhe të bësh analizën e këtyra librave, duhen faqe të tëra. Ndërsa, po mjaftohem vetëm me pak fjalë, që ka shkuar Dritëro Agolli, në librin e parë: “Ndërtesa e shoqërisë, në çdo kohë, është mbajtur nga disa kolona. Kur ndonjëra prej tyre plasaritet dhe rrëzohët, atëherë kjo ndërtesë fillon dalëngadalë të dobësohet dhe të lëkundet. Kolona, që e mbajnë shoqërinë, unë do t’u thosha atyre njerëzve të shquar, që kur nuk ndihen dhe nuk duken në shtyp, në libra, në publik apo në rrugë, shoqëria e vë re mungesën e tyre dhe pyet: “E keni parë filanin?” Një ndër këto figura, që pa e tepëruar do ta krahasoja me ato kolona që përmenda, është Alfred Uçi, për të cilin shoqëria nuk ka pyetur: “Ku është Alfredi?”, por “A e lexuat Alfred Uçin?” Këtë nuk e them i dalldisur nga patetizmi apo “i dehur” nga vera e simpatisë së një miqësie të hershme , por i nxitur vetëm nga një e vërtetë, që e shohin të gjithë”.

3.

Tani po e kuptoj, që u largova paksa nga titulli i këtij shkrimi, pra “skica”, që doja të shkruaja për takim e ngrohtë dhe mbresëlënës, me prof.Alfred Uçi-Akademik. Nuk dua të zgjatem këtu, po përmbajtja e bisedave tona ishin jo vetëm librat tanë, udhëtimet e përbashkëta të disa kohëve më parë, me librin e tij “Petro Nini Luarasi”, në Shkup, Prishtinë e Ulqin dhe, së fundi, në Pogradec, por dhe për miqtë tanë, që kemi njohur e takuar, si në Shqipëri e trojet shqiptare, por dhe nga arbëreshët e Italisë etj.

Minutat kaluan shpejt dhe ne, si shpesh herë më parë, fiksuam bashkë pak fotografi, që do t’i kemi një kujtim të paharruar. U ndamë me premtimin, se përsëri do të pimë kafe bashkë, tashmë, në afërsi të shtëpisë së tij, kur po troket dhe pranvera, me aromën e luleve të saj dhe diellin jetëdhënës.

Deri atëherë: Shëndet të mirë dhe me sa më shumë jetëgjatësi, me mbarësi e krijimtari, gëzime e lumturi, vetjake dhe familjare, shumë i nderuari prof. Alfred Uçi!

Tiranë, 21 shkurt 2016

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.