18.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )
Kreu Artikuj Ujdi monarkësh apo ujdi tuxharësh politikë?!

Ujdi monarkësh apo ujdi tuxharësh politikë?!

0
434
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 02.02.2020

Sa herë që e godas mirë cakun me shkrimet e mia, të parët që më lajmërohen në inboks (mesengjer) janë zyrtarët e LDK-së. Ashtu ndodhi edhe dje pas publikimit shkrimit “Mashtruesi” Albin apo tradhtari “Putin”!?

Zyrtari në fjalë, pas fjalëve përshendetëse dhe komplimenteve për shkrimin, nuk e fshehu as dëshirën që së shpejti do të gjendet një zgjidhje e mirë për vendin.

Nuk vonoi shumë dhe zgjidhja e “mirë” për Kosovën ndodhi!

Kurbani i marrëveshjes dhe delegjitimimi i Kuvendit

Edhe pse jo e konfirmuar zyrtarisht, në media, me shpejtësi të dritës u përhap lajmi për tërheqjen e Glauk Konjufcës nga posti i kryeparlamentarit, për t’i hapë rrugë marrëveshjes për koalicion të zorit!

Bërja e Glauk Konjufcës kurban i një marrëveshje të zorit, jo vetëm që nuk është zgjidhje e mirë, paraqet delegjitimim të institucionit të Kuvendit.

Për të mos shkuar më largë në historinë e zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar i Kuvendit me 26 dhjetor 2019 me votat e LDK-së, po kthehem tek kërkesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës drejtuar LVV-së për tërheqjen e Glauk Konjufcës nga posti i kryeparlamentarit, të cilës lideri i kësaj partie, Albin Kurti ju kishte përgjigjur me një letër të gjatë, në të cilën i kishte thënë këto fjalë Isa Mustafës; “Nuk mundemi tash t’i delegjitimojmë institucionet demokratike me ujdi monarkësh”.

Pas kësaj përgjigje, askush nuk e kishte pritur një gëlltitje kaq të shpejtë dhe situatë kaq nënshtruese të Albin Kurtit për arritjen e një marrëveshje të zorit me LDK-në!

Kthimi prapa në seancën e 26 dhjetorit 2019

Detyrimi i Glauk Konjufcës për tu tërhequr nga posti i kryeparlamentarit, përveqse dhunim i tempullit të demokracisë, paraqet delegjitimin të institucionit të Kuvendit dhe fyerje e rëndë ndaj shprehjes së lirë e të zgjedhurve të popullit në Parlamentin e Kosovës.

Pas këtij veprimi skandaloz të Albin Kurtit, ditën e hënë të 3 shkurtit 2020 në Kuvendin e Kosovës do të ndodhë një përseritje e seancës së 26 dhjetorit 2019, përkatësisht një rivotim për postin e kryeparlamentarit i cili do të jetë i baras-vlefshëm me votimin e ‘Qeverisë Kurti’.

Sadoqë në taborrin e LDK-së po e vlerësojnë me nota të larta tërheqjen e kryeparlamentarit, bërja kurban e Glauk Konjufcës është zgjidhja më e keqe për arritjen e një zgjidhje të mirë për vendin.

Me këtë veprim, Albin Kurti u fut edhe në një aventurë e re të paparashikuar në seancën e 3 shkurtit 2020, nga e cila mund të dalë humbësi më i madh i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Delegjitimimi i institucioneve demokratike, përkatësisht delegjitimimi i zgjedhjes në mënyrë demokratike dhe ligjore e kryeparlamentarit paraqet shkelje të rëndë të parimeve bazike të demokracisë dhe dhunim i shprehjes së lirë të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht arsyetimit të këtij veprimi antidemokratik, kinse me qëllimin e mirë për krijimin e institucioneve demokratike në vend, nuk asryetohet detyrimi i tërheqjes së Glauk Konjufcës për arritjen e një marrëveshje të zorit për kënaqjen e egove për pushtet.

Kthimi prapa në seancën e 26 dhjetorit 2019, e mjegullon akoma më shumë të ardhmen e koalicionit qeverisës LVV-LDK.

Jam nga ata, që prej fillimit kam qenë për një koalicion qeverisës LVV-LDK, për një koalicon të ndërtuar mbi bazën e parimeve dhe mirëkuptimit të plotë mes dy subjekteve, e jo për këtë marrëveshje që erdhi si produkt i shantazhit politik dhe pazareve të pista në orët e fundit.

Kjo marrëveshje e inateve dhe zorit, nuk u bë për të mirën e shtetit dhe as për kthimin e shpresës së qytetarëve, por për kënaqjen e egos për pushtet të një grupi të vogël njerëzish në gjysëm shtet.

Vërtetë nuk e kam as idenë më të vogël se si do të funksionojë dhe sa do të zgjasë kjo martesë e zorit pa dashni mes Albin Kurtit e Isa Mustafës!
Punët që bëhen fshehtas dhe për inati, përveqse nuk sjellin gjëra të mira në jetë, e kanë e kanë edhe një përfundim të keq.

Mbase e mira e kësaj pune është se, disa nga kampi rugovian që deri dje e shanë dhe fyen Albinin në rrjetet sociale, do të fillojnë të dashurohen në të, ashtu siq e deshën Hashim Thaçin në martesë me Isa Mustafën.

Të hënën, tek pasi të votohet kryeparlamentari/rja mund të hapet rruga për votimin e ‘Qeverisë Kurti’, por për këtë nuk do të mjaftojnë vetëm votat e LDK-së.

Doemos do të vendosë vota e partive minoritare në Kuvend. Mbetët të shihet të hënën, se a do t’i bashkangjiten partitë e vogla jo serbe koalicionit qeverisës apo do të jetë “Lista Srpska” ajo që do ta zgjidhë “nyjën gordiane” në Kuvend.

Megjithatë, fjalën e fundit pas delegjitimit të institucionit të Kuvendit do ta thotë Gjykata Kushtetuese.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.