6.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )
Kreu Letërsi VËSHTRIM PËR VËLLIMIN POETIK “GJETHET DO T’I PRES NË DORË” TË POETES...

VËSHTRIM PËR VËLLIMIN POETIK “GJETHET DO T’I PRES NË DORË” TË POETES DRITA KOSUMI-SYLA

0
1490

Botues SHB “Prokultpress”, Prishtinë, 2018

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Poetja Drita Kosumi-Syla nga lexuesi ynë njihet tash e një kohë të gjatë. Kjo autore shquhet me vargun, ku refleksionin e ka mjaft të qartë, shprehjet e theksuara dhe merret me preokupime të pastra poetike.

T’ua rikujtojmë lexuesve se Drita Kosumi-Syla deri më tani ka botuar dy vëllime poetike: “Falma këngën, varg” (Prishtinë, 2015) dhe “Mos ma kërko ikjen” (Prishtinë, 2016). Vëllimi “Gjethet do t’i pres në dorë”, është i treti me radhë prej kësaj autoreje.

Edhe në vëllimin poetik “Gjethet do t’i pres në dorë” poetja Drita Kosumi-Syla ka krijuar poezi që i përgjigjen kërkesav teoriko-letrare dhe urdhrit krijues poetik, në të cilat shpreh vlimet e brendshme shpirtrore me ngjyrime karakteristike dhe të veçanta. Poezia e kësaj autoreje na imponohet me veçoritë e saj, me origjinalitetin e të shprehurit dhe me synimet estetike. Në këto poezi po ashtu hasim disa dridhje emocionale që janë elemente, të cilat na bëjnë të kuptojmë se poetja dallohet nga krijuesit e tjerë me thekse dhe veçori të stilit.

Poezia e poetes Drita Kosumi-Syla është racionale, tanimë e mbështetur në përvojën e fituar krijuese të autores për të vargëzuar, në ndjenjat e drejtpërdrejta dhe preokupimet jetësore. Prandaj edhe themi se poezia e saj në këtë vëllim poetik është e veçantë, ngase ndryshon prej të tjerëve. E themi këtë sepse poetja Kosumi në vargjet e veta trajton butësinë, preokupimet shpirtrore të brendshme, subjektive (virtytet, siç janë dashuria ndaj atdheut, dashuria intime; veset, si gënjeshtra e tradhtia etj.), por trajton edhe preokupimet objektive nga aktualiteti dhe jeta shoqërore, nga e kaluara, por me shpresë dhe vizion edhe për të ardhmen. Pra, ndjenjat e drejtpërdrejta dhe motivet e ndryshme (dashuror, patriotik, i mërgimit etj.) janë shenja që lënë gjurmë në poezinë e saj.

Motivet dhe elementet kryesore të poezive të vëllimit “Gjethet do t’i pres në dorë” të poetes Drita Kosumi-Syla na bindin se kjo autore tashmë është e kultivuar, ngase na ka sjellë poezi të qarta dhe komunikative në shprehje, duke i shtjelluar tematikat dhe duke i trajtuar motivet me një ecuri të lehtë dhe të rrjedhshme.

Ne si lexues nuk e kemi të vështirë për ta kuptuar e përjetuar poezinë e autores Drita Kosumi-Syla, sepse motivet e trajtuara, si ai i atdhedashurisë, për heronjtë dhe dëshmorët, motivi i dashurisë intime etj., përkojnë me jetën dhe aktualitetin, d.m.th., jeta, brengat, andrallat për të cilat rrëfen poezia e poetes, janë edhe tonat, ngase jeta jonë përshkohet, veç sukseseve, nganjëherë edhe me dëshira të parealizueshme.

Poezia e poetes Drita Kosumi-Syla përshkohet me optimizëm dhe ka ngjyrime individuale. Tipar kryesor, madje dhe shumë i rëndësishëm në të shtjelluarit dhe të trajtuarit e tematikave dhe motiveve, është guximi i saj në të krijuarit e figuracionit poetik, element ky që është qenësor, sidomos për poezinë. Prandaj, vërtet kjo poete mjeshtërisht ia ka dalë që t’i kamuflojë mendimet e veta, të shprehura në vargje aq bukur me metafora, krahasime, hiperbola etj. etj., e që librit ia shtojnë vlerën edhe më shumë.

Gjuha që poetja Drita Kosumi-Syla ka përdorur në poezitë e saj është origjinale, pa asfarë shkarjesh dialektore a krahinore, d.m.th, autorja ka përdorur gjuhën letrare të ndërtuar poetikisht, duke u marrë me çështje thelbësore të jetës, që kanë dalë shumë të frytshme si motive.

Vargjet e vëllimit poetik “Gjethet do t’i pres në dorë” të poetes Kosumi janë të lira, të parimuara, ose të rimuara rrallëherë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.